Andon Z. Cajupi

Mëmëdheu

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm'e atë,
ku më njeh dhe gur' i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q'i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes.
 
Vaje


Që ditën që vdiqe, që kur s'të kam parë
Lotët që kam derdhur, s'më janë dhe tharë
Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete
Që kur më ke lënë dhe s'të shoh ne jete!


Në ç'kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S'të vjen keq për mua?S'të vjen mallë për djalë ?
O ëngjëll I bukur mos meno në botë
Kthehu të të shomë të na mbeten lotë


S'rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtëm bashkë s'më urreve
Atje tek rri janë qipariz' e varre
Kthehu të të shomë mos na lër përfare


Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë
Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë
E ke lenë foshnje tani u bë burrë
S'arrite ta rritje s'të ka parë kurrë


Për ty shumë herë çoç do të më thotë
Por s'mund ti përgjigjem se më mbytin lotë
Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë
Duke psherëtitur te zot' I vërtetë


O zot I vërtetë s'të erdhi keq për djalë
Kur i more mëmën dhe më le të gjallë
Të më keshe marrë do të qe më mirë
Dhe të rronte mëma të rriste të birë
Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë
Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë
Doje dritë o qiell more dritën time
dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime
Tani rroj pa shpresë ndaj s'dua të rroj
Se dhe perëndinë tani s'e besoj.
 
Dashuria

E mban mënd, moj Marë,
dashurin' e parë?
Njeri nuk e gjegji,
se jeshmë te vegji.
Unë pa ty s'rrojë,
vij' e të kërkojë;
tl pa mua s'rroje,
vij' e me kërkoje.
Në lule me erë
putheshim ngahere,
dhe si burr' e grua
losnim nënë ftua.
Një ditë, të dyza
losnim mbylla-syza:
U fshyem pa dukur
Cinë të besoj taninë,
perëndin' a dashurinë?
Perëndi në këte jetë
është dashuria vetë.
------
Bukuria jote, leshërat e tua
posi pëndë korbi, të gjata
mbi thua,ballëtë si diell,
faqetë si mollë,qafa jot' e gjatë,
mesi yt i hollë,sisëtë si shegë,
dhëmbët si thëlpënjë,buzët si
burbuqe, sytë si gështënjë,
dora si dëborë, fjala jote mjaltë,
kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë;
gjithë më kënaqin, të tëra t'i dua,
po zëmëra jote u bë gur për mua!
-----
Pika-pika bie shiu
dhe dëbora flokë-flokë,
vetëtin e fryn veriu,
breshëri kërcet mi tokë!
Le të fryjë er' e ftohtë,
s'ka ç'më bën dimëri mua:
Dashuria më mban ngrohtë,
se pushtoj atë që dua.
Kur fryn era me tallas,
kur bie dëbor' e shi,
sa flë njeriu me gas,
kur ka mikenë në gji!
 
Kthehuni
Sipër