Bajrakët e Mirditës - Vendosja e sistemit të bajrakëve "bajraqeve"

Bajraket e Mirdites - Vendosja e sistemit te bajrakeve "bajraqeve"

bajraket1.jpg

Qëndresa e vazhdueshme e Mirditës dhe e krahinave fqinje të saj kundër dhunës osmane, i detyroi turqit të ndryshojnë politikën e tyre ndaj këtyre krahinave. Në gjysmën e dytë të shekullit 17, turqit u munduan të futnin në varësinë e tyre e ti shfrytëzonin kryesisht për qëllime ushtarake, Kuvendet e malësorëve.

Futja në dorë e autoritetit të Kuvendeve nga pushtuesit në rrethanat e mungesës së një klase feudale vendase qe e pamundur. Kuvendet ishin institucioni i vetëm vetqeverisës që trashëguan nëpër breza malësorët, vendimet e të cilëve ishin të prera, si një shprehje e vullnetit të popullit. Ato nuk mund të cënoheshin nga askush.


Mbështetur tek ky autoritet i Kuvendeve turqit u përpoqën t’a futnin në dorë këtë institucion popullor, për të shuar rezistencën e banorëve të malësive dhe ndërmjet autoritetit të tyre, të mobilizonin ushtri për luftërat pambarim që bënte Perandoria Osmane.

Për t’ia arritur këtij qëllimi, turqia në fund të shekullit 17 krijoi institucionin e bajrakut. Ajo i ndau krahinat malore veriore e verilindore shqiptare në njësi të vogla administrative, të cilat i quajti bajraqe. Sistemi i bajrakëve në Mirditë u vendos plotësisht në gjysmën e parë të shek 18.
Turqia duke mos patur besim tek njerëzit e caktuar prej saj si bajraktarë i grumbulloi bajrakët e Mirditës në një njësi administrative me territore më të gjera se ato të bajrakut, pa cënuar privilegjet e bajraktarëve, në krye të të cilës caktoi një sundimtar, të cilit në vitet 40 të shekullit 18 ia njohu titullin Kapidan. Ky titull iu dha për herë të parë Mark Kolë Gjokës nga Maria Tereza mbretëresha e Ausrtro-Hungarisë, me kërkesën e luftëtarëve mirditas në vitin 1739.
Kapidanët e Mirditës kishin varësi te Valiu i Shkodrës dhe te Stambolli. Në vitin 1738-1739 shpërtheu lufta midis koalicionit europian me në krye Austrinë dhe Perandorisë turke. Për të përballuar ushtritë e koalicionit, Turqia u bëri thirrje krahinave malore të Shqipërisë Veriore, t’i shkonin në ndihmë me forcat e tyre të parregullta. Pasi u pleqërua kjo thirrje e Sulltan Mahmutit të I-rë, u vendos të shkonin në luftë përkrah Turqisë duke zgjedhur si prijës të atyre ushtrive qefalinë e Oroshit, Mark Kolë Gjokën.
Sulltan Mahmuti i I-rë me kërkesën e mirditasve për shërbimet e bëra në ato luftime, ua rinjohu atyre privilegjet e fituara në vitin 1684, i dha Mark Kolë Gjokës titullin Kapidan, u lidhi mirditasve një subvencion të përvitshëm prej 100 barrë drithi dhe urdhëroi të shkruheshin këto privilegje në një fletë bronxi. Këtu e mbrapa, mirditasit i pranuan pinjojt e kësaj dere t’u prini në luftë sa herë duhesh të ngriheshin edhe ata, përkrah Turqisë apo dhe kundër saj dhe ajo derë u njoh, “dera e kapidanëve”.
Në vitin 1774, Veziri i Shkodrës, Mehmet Pashë Bushati i kërkoi aleancë Gjon Markut me mirditas duke marrë përsipër t’ua njihte privilegjet e mëparshme, si dhe malësorëve të tjerë, me kusht që të dërgonin ushtarë një burrë për shpi në rast nevoje, për të luftuar nën urdhërat e tij brenda kufinjëve të Sangjakut. Kuvendi i burrave i mbledhur në Shpal në pranverën e vitit 1774, për të shqyrtuar kërkesat e pashait, vendosi lidhjen e Mirditës me Bushatllinjtë e Shkodrës. Kështu Mirdita e prirë nga Kapidanët, luftuan për 60 vjet rrjesht përkrah Bushatllinjëve.
Më 1775 i biri Mehmet Pashë Plaku, Karamahmuti vazhdoi konfliktin që ishte ndezur prej kohësh midis babait të tij e Ahmet Kurt Pashës së Beratit, për zgjerim territoresh e influencash. Me ushtritë e Karamahmutit shkuan edhe 2000 mirditas nën komandën e Gjon Markut. Beteja u zhvillua më 12 shtator 1775 në afërsi të Peqinit. Ushtritë e Pashait shkodran u mundën. Aty mbeti i vdekur dhe Gjon Marku me 60 mirditas, pas një qëndrese të fortë të tyre, sa lejuan tërheqjen gjallë të Pashait.
Kujtimin e Gjon Mark Kolës, si udhëheqës popullor, e trajtuan burrat e Mirditës në odat e miqve e në kuvendet e burrave, e pasqyruan në shkrimet e tyre kronistët e kohës edhe shumë vite pas vdekjes së tij. Lidhja me Oxhakun e Bushatllinjëve qe një lidhje e qëndrueshme që zgjati deri në vitin 1831 kur ora e Bushatllinjëve ra me arrestimin e Mustafa Pashë Bushatit bashkë me Lleshin e Zi në kala të shkodrës nga Mehmet Reshit Pasha. Lidhja e Mirditës me sundimtarët e Shkodrës, për hir të traditës, vazhdoi edhe pas rënies së Bushatllinjëve, bile deri në vitet 30 të shekullit 20.
Udhëheqja e forcave të Mirditës nga Gjonmarkajt në luftëra të ndryshme në vende të Ballkanit, fitoret e arritura, veçanërsisht, pas viteve 40 të shek XIX u dhanë emër atyre edhe jashtë vendit. Veçanërisht beteja e vitit 1854 në Danub kundër Rusëve, lartësoi emrin e Mirditës dhe të Bibë Dodës që drejtonte ato ushtri. Veziri i Madh i Stambollit, Omer Pasha i dha titullin Pashë, Bibë Dodës, ndërsa Napoleoni i III-të, që luftonte përkrah Turqisë, ç’veshi shpatën e argjendë e ia dhuroi Bibë Dodës për suksesin që korrën ushtritë e tij, dhe e mori në mbrojtje Mirditën.
Në gjysmën e dytë të shekullit 19 e mbrapa për Mirditën dhe udhëheqësit e tyre filluan të interesoheshin pothuajse të gjitha oborret mbretërore të Europës. Ato porositën konsujt e tyre në Shqipëri dhe në vende të tjera fqinje, të studionin, secila për hesape të veta, oragnizimin shoqëror të Mirditës, forcën e këtij uniteti krahinor dhe rolin e Gjonmarkajve në këtë krahinë.
Popullarizimi i studimeve të tyre për pasuritë kulturore-doke e zakone dhe ato natyrore, xhehe e pyje në kancelaritë Europiane, çoi në trajtimin e një politike të veçantë të Fuqive të Mëdha ndaj kësaj krahine, sa në Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878) u morën nëpërkëmbë interesat e kombit shqiptar, kurse një pjese të tij, Mirditës iu njoh autonomia vetqeverisëse dhe u detyrua Porta e Lartë t’i respektojë venomet tradicionale të njohura “ob antique” të saj. Udhëheqja e mirditasve për gati 300 vjet nga Gjonmarkët, çoi në ndërkombëtarizimin e emrit të krahinës së Mirditës, ashtu si dhe zgjuarsia e trimëria e mirditasve lartësoi derën e Gjonmarkëve në shkallët e hierarkisë së kohës, deri Pashë.
 
Kthehuni
Sipër