EMRA MASHKULLORË ME TEMË NË ZANORE

Miri

Anëtar drejtues
Në gjuhën shqipe ka disa emra të gjinisë mashkullore që mbarojnë me zanore. Këta emra kanë dallime në marrjen e nyjes shquese, prandaj shpeshherë njerëzit, kur i përdorin ata në trajtën e shquar, i shqiptojnë apo shkruajnë gabim në disa raste. Kështu, në një reklamë televizive për syzet optike, folësi thotë mes të tjerave:”…me lehtësi peun në gjilpërë.” Emri pe është përdorur në trajtën e shquar të rasës kallëzore në numrin njëjës, por është shqiptuar krejt gabim kur duhej të thoshte: “…perin në gjilpërë.” Pra duhet të shquhet peri dhe jo peu.

Le të shohim më shumë raste emrash të gjinisë mashkullore që dalin me temë në zanore dhe mënyrat se si duhen shqiptuar apo shkruar në trajtën e shquar. Së pari le të sjellim disa emra të këtij lloji: sy, hu, gju, li, gji, ulli, mulli, kalli, bri, dre, dru, fre, gdhe, kërci, hi, kufi, kërcu, dry, etj. Duke i marrë me radhë, mund të tregojmë fare lehtë se si e marrin trajtën e shquar këta emra.

Sy-syri. Siç shihet nyja shquese është i, por para saj vendoset një r. Ka mjaft raste kur e shqiptojnë apo e shkruajnë gabimisht në formën: syu “As ma fal syun e zi!”, apo “Ma ka shkelë syun.”

Hu-huri. Edhe këtu është përdorur e njëjta gjë në mënyrën e formimit të trajtës së shquar. Imagjinojeni sikur të përdornim format e gabuara të shquarsisë që i theksuam më sipër për rastin pe-peun: hu-huun, a do të kishte kuptim ky lloj përdorimi? Sigurisht që jo.

  • Gju-gjuri. Pra edhe këtu para nyjes shquese i është vendosur një r si një antihiatus.
  • Li-liri. E njëjta dukuri dhe asnjëherëliu.
  • Gji-gjiri.Por asnjëherë gjiu, megjithëse shpeshherë përdoret edhe kjo forë e gabuar në shumë raste.
  • Ulli-ulliri, dhe asnjëherë ulliu.
  • Mulli-mulliri dhe jo mulliu.
  • Kalli-kalliri dhe jo kalliu.
  • Bri-briri dhe jo briu, porbari-bariudhe jo bariri.
  • Dre-dreri dhe jo dreu.
  • Dru-druri dhe jo druu.
  • Fre-freri dhe jo freu.
  • Gdhe-gdheri dhe jo gdheu.
  • Kërci-kërciri dhe jo kërciu.
  • Kufi-kufiri dhe jo kufiu.
  • Hi-hiri dhe jo hiu.
  • Kërcu-kërcuri dhe asnjëherë kërcuu.
  • Dry-dryri dhe asnjërë dryu.
Këtu bëjnë prjashtim disa emra si: va, ka, vëlla, shkja, tra, dhè, licè, etj. si dhe disa emra të përveçëm njerëzish që mbarojnë me zanore si: Loro, Hodo, Jaho, Kristo, Çomo, Lodo, Ilo, Shaqo, Rrapo, Myrto, Rambo, Ronaldo, Xhino, etj.

Emrat që mbarojnë me a, si zakonisht shquhen me u, e po kështu edhe emrat dhè e licè.

Va-vau; ka-kau, shkja-shkjau, tra-trau, por nganjëherë edhe trari, dhè-dhèu, licè-licèu, por bën një përjaashtim të vogël vëlla- vëllai dhe jovëllau.

Emrat e përveçëm që përmenda më sipër si dhe të gjithë të tjerët të të njëjtit tip që mbarojnë me zanoren o marrin si nyje shquese ja, njësoj si disa emra të gjinisë femërore. Le t’i shohim me radhë se si e formojnë trajtën e shquar këta emra: Loro-Loroja, Hodo-Hodoja, Jaho-Jahoja, Kristo-Kristoja, Çomo-Çmoja, Lodo-Lodoja, Ilo-Iloja, Shaqo-Shaqoja, Rrapo-Rrapoja, Myrto-Myrtoja, Rambo-Ramboja, Ronaldo-Ronaldoja, Xhino-Xhinoja, Zyko-Zykoja, ose birbo-birboja, gringo-gringoja, leshko-leshkoja, Balo-Baloja, Kuqo-Kuqoja, Koko-Kokoja, (këta të fundit janë emra të përveçëm kafshësh) etj.

Janë disa emra të tjerë që mbarojnë me i të theksuar dhe kur shquhen marrin trajtën shquese me u, prandaj nuk duhen ngatërruar me emrat e mësipërm si: kufi, li, mulli, ulli, kalli, gji, bri, hi, etj.

Rastin e tipit bari e solla edhe më sipër, por këtu po sjell si shembull disa emra të tjerë:

  • gjeni-gjeniu dhe jogjeniri dhe as gjenia,
  • dori-doriu dhe jo doriri dhe as doria,
  • ari-ariu dhe jo ariri, por flori-floriri dhe jo floriu,
  • zotëri-zotëria dhe jo zotëriri e as zotëriu,
  • jabanxhi-jabanxhiu dhe jo jabanxhiri e as jabanxhia,
  • myshteri-myshteriu dhe jo myshteriri a myshteria,
  • komshi-komshiu,
  • hanxhi-hanxhiu,
  • dallaverexhi-dallaverexhiu,
  • kallajxhi-kallajxhiu,
  • spahi-spahiu,
  • spathi-spathiu,
  • suvari-suvariu,
  • hallexhi-hallexhiu, etj.
Sipas shembujve që solla më sipër nxjerrim si konkluzion se emrat e gjinisë mashkullore që mbarojnë me një zanore, në trajtën e shquar dalin në forma të ndryshme dhe jo sipas një parimi strikt, prandaj duhet btë kemi shumë kujdes gjatë përdorimit të tyre kur i shqiptojmë ose i shkruajmë.

AUTOR: TOMGJOKHILAJ​

 
Kthehuni
Sipër