Mirdita e moçme e migrime të popullsisë së saj

A

Antoni

Vizitor
Prof. Dr. Mark Tirta
Mirdita, një nga krahinat më të unifikuara, më të njejtësuara të trojeve shqiptare, me një status tepër të përcaktuar, në doke e tradita, në veshje e në të drejtën popullore, me një
kohezion të veçantë krahinor, një emër krenarie për banorët e saj, filloi të duket që herët në Mesjetë, me emërtime të ndryshme, ndonëse ishte bërthamë e Dukagjinit mesjetar. Qëndroi ndër shekuj një unitet gjeo-etnografik me një domethënie të veçantë, me një tingëllim miklues, simbol i lirisë, i atdhetarizmit, i qëndresës, i krenarisë. E varfër, por me njerëz të urtë, tërë gjallëri, me dinjitet.
attachment.php

Dëshmitë e kohëve na e thonë qartë se popullsia e këtyre viseve që përfshihen në Mirditë, që prej kohëve të Mesjetës ka qenë me kulturë e burime ekonomike ndejtare, të ngulur e jo endacake. Po, natyrisht, brenda këtij kuadri, ka pasur jo pak lëvizje migruese të kësaj popullsie, brendapërbrenda, nga brënda për në vise jashtë saj, po në këtë vend janë ngulur e janë shkrirë me popullsinë më të vjetër vendëse, dhe grupe popullsish shqiptare të ardhura nga vise të tjera, sidomos nga pjesa më veriore e Shqipërisë së Epërme. Popullsia ka ardhë, në elementë të veçantë, dhe nga krahinat në lindje a në jug të Mirditës. Lëvizje të tilla migruese e shtresime popullsie, në kohë të ndryshme, janë krejt të natyrshme: Lëvizja për arsye ekonomike, nga dizekuilibre demografike, për t'u shmangë nga luftra a nga konflikte të ndryshme sociale, migrime në rrethana pasigurie, përplasjesh, përsekutimesh.
attachment.php

Duhet ta kemi të qartë se emërtimi toponimik Mirditë në kohë e raste të ndryshme paraqitet me kuptime më të ngushta, po në shkallë të ndryshme madhësie, po dhe me një kuptim të gjërë, si njësi tërësore e krahinore gjeografike - etnologjike. Emërtimet administrative mund të ndërrojnë, shtrihen në gjërësi a tkuren, po lidhjet krahinore në doke e tradita mbeten.
Është me interes të shënohet se emri Mirditë me kuptimin e saj të ngushtë, na del në Mesjetë, më së shumti, përmes antroponimeve të migrantëve që u larguan prej andej. Pra morën me vete emrin Mirditë, si mbiemër, si kujtim i vendit nga kishin ardhë. Kështu kemi Gjon Mirdita e Pjetër Mirdita, të ardhur nga viset në mes luginave të të dy Fandave e Matit e të ngulur në Manzabardh, fshat në afërsi të Drinit, në jug të Shkodrës (Kadastra venedikase e Shkodrës, 1416-1417), po kështu, sipas regjistrave osmanë, 1467, në Suhadol të Dibrës është ngulur Ndre Mirdita e në Shipshan, po të Dibrës: Gjon Mirdita.
attachment.php

Në shekullin XV gjejmë të ngulur Gjon Mirdita në Selitë e Pjetër Mirdita në Bërzanë (Jo shumë larg nga Ura e Matit, Ura e Zogut). Në antroponime të ndryshme të njerëzve të larguar nga krahina e tyre e herëshme përmenden dhe emërtime të vjetra mesjetare e më tej Fandi, Ndërfanda, Doçi, Skanda e me radhë. Emri Skanda, si antroponim përmendet në 4 fshatra në Zadrimë e në Nënshkodër. Bratin Skanda në Shirq, Gjin Skanda në Balldre, Gjon Skanda e Pjetër Skanda në Samrisht, Katalina e Pjetër Skanda në Gleros (afër Beltojës) ( Kad. Venedikase e Shkodrës, 1416-1417.) Përmendet Skanda në Dibër (1467), në Mat (1467) në vendin ku takohen Fandi me Matin, pranë Fangut. Në regjistrat osmanë (1529 –1536) ku flitet për Mirditë e Zadrimë shënohet fshati SKANDA me 4 shtëpi pranë Vaut të Dejës dhe një fshat pranë Ragamit. Aty përmendet dhe një fshat Skandani, pra i prejardhur nga antroponimi Skanda (më 1671 e 1702). Emnin SKANDA do ta gjejmë gjithandej më vonë si antroponim e toponim, ta zemë: Mali i Skandës në Dibërr, përkarshi Gamsiqes (si na e përmend Jastrebovi.)
attachment.php

Kanë shkuar njerëz në jug të Shqipërisë, në Gjirokastër, janë ngulë aty, janë bërë ortodoksë, janë njëjtësuar me krahinën ku ishin ngulur, në doke e tradita, mirë po kanë ruajtur mbiemrat e vendit prej nga kanë ardhë: Mitro Fandi e i biri Margarit Mitro Fandi, si mjeshtër të punimit artistik të drurit në kisha të atyre viseve. Vëllezëria Doda (më vonë Meksi ) e Labovës së Zhapës, Lunxheri) e ka prejardhjen nga Mirdita. Më heret e kanë pasur mbiemrin Doda siç thotë J. G. van Hahnn e më vonë e kanë kthyer Meksi . Vëllezëria Malo, Në Odrie të Lunxhërisë e kanë prejardhjen nga Malajt e Kthellës në Mirditë. Ruajtja në kujtesë, në përdorimin e emrit të vendlindjes, të krahinës së të parëve ka një kuptim të veçantë, tepër domethenës për lidhjen shpirtërore të të shpërngulurve me krahinën e tyre, me vendlindjen e tyre a të gjyshërve : Mirdita, Fandi, Skanda, Suli, Kthella , Spaçi e kështu me radhë.

Në atë që quhet Mirditë, në kuptimin më të gjërë, në Mesjetë ka ekzistuar një popullsi e vjetër arbërore vendëse e këtë e vertetojnë varrezat e shumta, si varrime të përbashkëta në një vend, një vend me bujqësi, vreshta, pemë, mullinj, ç'ka flet për popullsi sedentare; këtë e vertetojnë kishat e shumta e manastiret që i kanë rrënjët në Mesjetën e Herëshme e trupin në Mesjetën Midise. Për këtë flasin dhe dëshmi e burime të ndryshme historike. Po në Mirditë janë vendosur dhe mbishtresa popullsie shqiptare të ardhura nga viset më veriore të Shqipërisë së Epërme. Kemi Thaçet e Domgjonit, të Gojanit e të Gomsiqes e të disa viseve të tjera të Mirditës që kanë ardhë nga Mali i Zi e shkrirë në Mesjetë me popullsinë vendase.

Kthella quhet dhe me emrin Bajrakët e Ohrit e kjo është natyrisht, një emërtim administrativ, lidhur me arsyen se kjo trevë si dhé dikur ka shkruar si vartësi me sanxhakun e Ohrit. Po , nga nga ana tjetër, ka të dhëna për ardhje popullsie shqiptare nga viset shqiptare të Maqedonisë, nga trysnia sllavo-bullgare e më vonë dhe në kushtet e pushtimit osman.
Këto dukuri të lëvizjeve migruese duhen gjurmuar dhe më tej, për t'i sqaruar mirë gjërat e për të shpërndarë mjegullën që ka mbështjellë shumë dukuri të së kaluarës, për lëvizjet e popullsisë.
Me burime të ndryshme e me zhbirime krahasuese vertetohet ardhja e një sasie jo të vogël popullsie nga Kosova e si pikë e kujtesës shënohet Gjakova e Pashtriku, më tepër krahina e Hasit.

Doemos, këtu kushtet e ardhjes shpjegohen me rrethana të pasigurisë, me trysni të pushtimit osman, po natyrisht këto trysni do të jenë dhe më të herëshme, pra nga koha e pushtimeve sllave në shek. XIII, XIV, XV. Këtë e përforcojnë shumë të dhëna të tërthorta. Këto ardhje të kohë-pas-kohëshme, i dëshmojnë gojëdhënat, i dëshmojnë elementët kulturorë që prunë me vete, sidomos disa toponime e antroponime, disa elementë të kishës sllave e mbi të gjitha disa dëshmi osmane. Duhet theksuar se, kur erdhën këta kolonizues nga Gjakova, nga Pashtriku, nuk u vendosën në një vend të panjohur. Ndoshta këtë vend e kishin njohur në shtegtime me bagëtitë e tyre në dimër a në verë. S'ka si shpjegohet ndryshe gjojëdhëna, sipas së cilës, vëllazëritë Morina e Pogu po dhe të tjera të Hasit, të mbahen në ardhura nga Mirdita, vëllezëri (Morina) që janë me shumë familje e të shpërndarë në shumë vise të Kosovës, të Malësisë së Gjakovës.

Të kuptojmë se shtegtimet nuk janë bërë pa një mendim, pa një njohje, si të themi “Ku rafsha mos u vrafsha”. Kanë migruar në vende ka kanë njohur burimet natyrore, klimën dhe njerëzit që banonin në ato vise. Këtë e dëshmojnë dhe shumë autorë që shkruan për Mirditën në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Edhe Shtjefën Gaspri në shek. XVII (viti 1672) thotë se mirditasit kanë ardhë aty 180 vjet më parë. Dëshmitë e ndryshme përputhen mes tyre. Kjo popullsi e ardhur u shkri me popullsinë vendase duke formuar dhe vllazni të përbashkëta me të parën dhe kështu në vetëdijen popullore u njëjtësua sikur kanë ardhur të tërë nga Pashtriku, nga Gjakova. Për këtë problem flasin dhe burimet osmane.

Në këtë pikë nuk dua të zgjatem se për të është folur më parë, po dua të shtroj këtu disa gjëra të tjera. Kishët e ngritura të reja në Orosh, Spaç e Kushnen në shek. XVI-XVII, kanë të njëjtët emra shejtorësh si ata të kishavet të vjetra në Has të Gjakovës si: Shën Gjoni (Shëngjini), Shën Nikolli, Shën Gjergji, Shëlbuemi. (San Salvatori) e kështu me radhë. Ndoshta popullsia e re që erdhi prej andej, pruri me vete festat e të kremtet. Pra kishat e reja u bënë në emër të shejtorëve që populli i kremtonte sipas traditave të tij të vjetra. Me interes është fakti se në disa fshatra të krishterë, po dhe ndër myslimanë të Hasit të Gjakovës, kremtohej festa e Shën Nikollit me miq e me shumë ceremoniale ashtu si bëhet edhe në Orosh, Kushnen, Fand e gjetiu. Ndoshta këtu ka përputhje nga njëjtësia e origjinës së popullsisë ardhëse këtu e lënëse në vendin e vjetër.

Kemi vërejtur se grupimin e lidhur me antroponimin Morina, i përdorur sot a dikur si mbiemër, me degët e tij të ngulura në vise të ndryshme të Kosovës, nga vendasit e atjeshëm mbahet i ardhur nga Mirdita ashtu si mbahen me të njëjtën prejardhje edhe Pogajt (Pogu) e Hasit. Ata i quajnë “Fandë”, ashtu si quhet përgjithësisht çdo vëllazëri e ardhur, ose e ashtuquajtur e ardhur, nga Mirdita. Kjo lidhje e prejardhjes është mjaft e çuditëshme. Mendja ta thotë se njëfarë lidhje kjo kujtesë gojëdhanore e ka me Mirditën e nuk ishte thjeshtë një mit i trilluar, pavarësisht nga “shtesat e nga mbushjet me lëndë të huaja”. Nga ana tjetër, duhet sqaruar se në Mirditë nuk ndeshim në asnjë gojëdhënë, në asnjë toponim e as antroponim, në asnjë burim të shkruar që të na flasë për praninë e vëllezërisë Morina ose Pogu me zanafillë të herëshme e me vendbanim në këto vise malore, në një kohë të shkuar, e që pastaj të kenë ikur në Kosovë. Për vëllezëri të tjera a familje të veçanta që kanë ikur dikur në Kosovë flitet, por me emra e vëllezëri krejt të tjera.

Ta zemë, dikur ka banuar vëllezëria Qyqja në Mirditë e më vonë është zhdukur. Për disa kjo vëllezëri ka ikur e është ngulur në Kosovë e, për të tjerë, është shuar, pa lënë pasardhës. Kështu flitet për vëllezër a për pjesë nga vëllezëri të tjera e këto kujtesa popullore i ka fiksuar shumë mirë.
Përsëri gojëdhëna na vjen në ndihmë për t'i sqaruar në një farë mënyrë këto dukuri të ngatërruara. Ajo na thotë se Shala, Shoshi e Mirdita erdhën nga Pashtriku i Gjakovës në këto male ku janë sot, po kur u pushtuan këto malësi, përsëri shkuan në Pashtrik për disa kohë. Gojëdhëna të shumta për këtë kanë mbledhur F. Nopça e E. Durham që në fillim të shek XX, kur këto ishin dhe më të qarta në kujtesën e popullit.

Vendësit e këtyre krahinave (Shalë, Shosh e Mirditë) i kanë thënë E. Durhamit se Mirdita, Shala e Shoshi kanë ardhur nga malet e Pashtrikut afër Gjakovës kur turqit për herë të parë u dyndën me pushtime drejt Perëndimit. Përpara kësaj shpërnguljeje ata përbënin një pjesë të fiseve të Pejës dhe ishin të gjithë të krishterë (ka arsye të mendohet se mirditasit dikur, sipas saj, kanë qenë ortodoksë). Më tej ata tregojnë se, kur turqit morën Shkodrën dhe po shkretonin vendin, ata u dyndjen sërish, për një farë kohe, dhe u vendosën në malet e tyre në Pashtrik; u rikthyen në vendet ku banojnë sot vetëm 250 vjet më vonë (E. Durham, Brenga e Ballkanit , f. 450). Kjo tregon, çfar është krejt e arsyetuar, se ata, në raste pasigurie e përndjekjesh janë rikthyer te vendi i tyre i parë e përsëri, në kushte të tjera, kanë lëvizur e janë ngulur në Mirditë.

Sqarojmë se edhe sot ka disa vëllazëri me mbiemrin Morina, në veri të Mirditës e në Pukë, si Fushë-Arës, Pukë, Zezaj që e mbajnë veten të ardhur nga Pashtriku, nga Morinët e Kosovës.
Mendojmë se me të dhënat që u përmendën më parë mund të shpjegohet në një farë mënyre çështja e prejardhjes së Morinës e të Pogut në Has - Pashtrik nga ato vise perëndimore. Nëse nga Mirdita u rikthyen disa në Pashtrik, është krejt e kuptueshme se, jo të gjithë ata, do të riktheheshin përsëri në Mirditë. Pra ata që mbeten në Pashtrik (krahinë e jo vetëm mal) e quajnë veten të ardhur nga Mirdita, natyrisht duke e mjegulluar e mitizuar disi të vërtetën.

Ka pasur pra shkuarje e ardhje, në ato vende të Pashtrikut në kushte të veçanta historike, të pasigurisë. Kanë shkuar në vende të njohura, ndoshta dhe në vende ku më parë banuan të parët e tyre, gjyshër e katërgjyshër. Si fillesë për në Mirditë ndoshta kanë qenë shtegtimet stinore me bagëti për në kullota verore ose në vjeshtë a në pranverë. Si bazë e njohjes për migrime të mëvonëshme, shtegëtimet stinore në shumë krahina të trojeve shqiptare i kemi ndeshur të tilla dukuri. Pa një njohje më të parëshme, duke qenë me banim në vendin e vjetër, nuk ka shpërngulje e ngulje në vendin e ri. Mund të jenë raste tepër - tepër të rralla që popullsia të shpërngulet, e shtyrë nga frika e zhdukjes fizike e që të drejtohet për në vende që nuk i njeh mirë që më parë: si popullsi, si klimë, si burime ekonomike, si kushte të përgjithëshme për jetesë, si siguri jete.

Të dhënat e shumta, të natyrave të ndryshme, të rradhitura këtu poshtë, i sqarojnë më mirë lëvizjet migruese brenda për brënda Mirditës nga një rreth në një tjetër, nga jashtë Mirditës për në mjedise të saj, po dhe nga Mirdita për në krahina të tjera fqinje a të largëta të trojeve shqiptare, po dhe për në mjedise të popujve të tjerë. Këto nuk ndodhin pa shkaqe të caktuara, pa trysni, pa një traditë e vijimësi njohjeje.
Është e kuptueshme, brenda krahinës lëvizjet migruese kanë qenë më të lehta, për në vende më të njohura, në vende me të njëjtat tradita e doke, me të njëjtën psikologji krahinore, me të njëjtat praktika familjare e shoqërore, me veshje të njëjta. Shpeshherë ka lëvizur një familje e më vonë në vendin e ri janë bërë shumë, kanë shkuar të tjerë duke njohur prejardhjen e afrinë në gjak. Kanë tërhequr njëri – tjetrin.

Kështu, gjinia Përshpalaj e Spaçit e kanë prejardhjen nga Vllaznia Kalaj e Kthellës së Epër, natyrisht një shpërngulje e ngjarë në një kohë të herëshme, ndoshta dhe 200 e më tepër vjet. Vâthajt, të mbështetur, të mbathur me fisin Bibaj në Spaç, e kanë prejardhjen nga Fregni i Dibrrit. Vâthi ka ardhë e është ngulur në Spaç si "nip" bije, nip nga një bijë. Shkaku i shpërnguljes është se ka mbetur pa prindër e nën rrezikun e gjakmarrjes, e ka marrë daja i tij për ta ruajtur nga vrasja. I kishin vënë vëthin në vesh me qëllim që, sipas besimeve popullore, kështu nuk do ta kapë pushka, pra për ta ruajtur nga vrasja. Kështu i mbeti mbiemri Vâthi e sot është një gjini e tërë me banim në Spaç, mbështetur në farefisin Bibaj (P. Gjika, Gjurm., f. 63). Dedajt e Oroshit që mbahen si gjini, si derë e madhe, si krenë të kryeherëshme në këtë Dhe, ka disa degë të mbështetura me të si Lalajt, Rrehnakët e me radhë, pra të ardhur në këtë vend. Një degë e Lalajve (Dedaj) të Oroshit është shpërngulur dikur e ngulur në Velën e Vendit në Dheun e Malësisë së Lezhës (brënda Mirditës).

Çoku i Oroshit përbëhet nga një degë vendëse (Pal Çoku e Çokajt e Lajthizës e nga ana tjetër degë të mbështetura të ardhura nga Korthpula e Dibrrit) e nga Pulajt e Selitës (brënda Mirditës). Totërri (Teodori) i Shëmrisë së Oroshit është i ardhur jo shumë herët nga Kthella. Megjithëse është i ngulur në Orosh, ka më se 150 vjet, përsëri bëhen marrëdhënie martesore mes këtyre të përmendurve dhe oroshasve të tjerë, gjë që nuk ndodh përgjithësisht me të ardhurit e tjerë, që ata të bëjnë lidhje martesore me vendasit, duke qenë të mbështetur me fise të caktuara, duke u bërë kumbarë, duke u bërë vëllezër me pirje gjaku, ose thjeshtë fqinjë me të tjerë, si "vllazën trojesh". Tirtajt e Oroshit janë dy degësh: njëra vendëse e tjetra e ardhur nga Fandi (Shëngjin), si nip bije e mbështetur me degën e parë. Janë farefis i Çetajve të Fandit. Në vendbanimin e ri ruhen toponimet e emrit të vjetër, që e patën kur erdhën si :Kodra e Çetës, Laku i Çetës, Prroska e Çetës, e tjerë. Më vonë mbiemri ndryshoi, po toponimet e herëshme të prejadhjes mbetën në vendin ku u ngulën. Tregohet se ka ardhur e është ngulur aty si nip nga një bije. Gjinia Cakoni me prejardhje nga Dheu i Fandit është ngulë prej shekujsh në Bushkash (Dheu i Rrazës ndër tre bajrakët e Kthellës).

Nganjëherë kanë lëvizur nga një bajrak në një tjetër, po dhe një bashkësi e tërë fshatare, doemos ngapak e nga pak me radhë. Këto janë përgjithësisht arsye ekonomike e që lidhen dhe me shtegtimet stinore të bagëtive. Kështu, në malësitë e Mirditës ka pasë përgjithësisht plangun kryesor të fshatit ku kishin shtëpitë e ndërtuara më mirë e më gjerë, me mure; njerëzit merreshin kryesisht me bujqësi, pemtari, vreshta, me mjeshtëri të ndryshme; fshati kishte dhe malin e verimit, bjeshkën me ndërtimin e shtëpive më të thjeshta e më shumë merreshin me blegtori e pak me bujqësi; kishin mandej vendin e dimërimit të bagëtive, në vise të ulta, në vende më të ngrohta e me kullosë të bollësishme dimërore. Edhe në vendet e dimërimit mbillej ndonjë copë tokë në vendet e plehëruara nga bagëtitë, po dhe pemë të ndryshme.

Me kohë, duke u shtuar popullsia, duke u ndarë shtëpitë në dy a tre pjesë, ka qenë më praktike të mbetej një vëlla me familje në katund (vendbanimi rrënjës i familjes), një tjetër të mbetej në shtëpinë përkatëse të bjeshkës ose të vërrimit. Ndodhte dhe që të ndaheshin tre a katër vëllezër dhe nga këta një të zinte shtëpinë në bjeshkë e një tjetër në vërri, pra në pronat e kullotave dimërore. Kështu, Oroshi kishte dikur në bjeshkë vetëm vende verimi. Nënshejti e Lajthiza që më vonë u kthyen në fshatra të banuar gjatë gjithë vitit, e për një pjesë tjetër të popullsisë, mbetën përsëri, pjesë të këtyre vendbanimeve në fjalë, vetëm si tbana verore. Vendet dimërore të këtij Dheu (bajraku) u shtrinë poshtë në Bukmirë, në Qafëmollë, në Livadhes e në gjysmën perëndimore të Ndërfushazit, po dhe në gjysmën e fshatit Shpërdhazë.

Në mes Oroshit të Epër (vendi i origjinës) e Oroshit të Poshtër, që quhej dhe Dheu i Poshtër i Oroshit, është Dheu (bajraku) i Kushnjenit, pra larg bashkësisë fshatare të Oroshit, edhe të përziera si popullsi. Nga Spaçi e nga Kushneni uleshin për dimërim me bagëti, përgjithësisht vetëm çobanët a pjesa e familjes që merrej me blegtorinë, në vendet kodrinore e fushore të Lezhes (Bregmati, Manati, Vau i Dejës, Zadrimë në përgjithësi. Në këtë rrugë u populluan me mirditas para një e gjysë a dy shekujsh: Gomsiqja, Vau i Dejës, Mënela, Gjadri, Kallmeti, pjesërisht fshatra të ndryshme të Zadrimës së Epërme. Nga vende dimërimi u kthyen në vende banimi të përherëshme, të ndërfutur në popullsinë vendëse të atjeshme. Në këto kushte ndodhi dhe rasti që popullsia vendëse të tërhiqet në vende të tjera a në qytete si në Shkodër, në Ulqin e vise të tjera. Në të njëjtat rrugë, si u përmendën më parë: në fillim për dimërim të bagëtive e pastaj dhe vendosje e popullsisë në Breg Mate, në Milot, në Laç e pjesën fushore të Krujës ka rënë në kohë të ndryshme dhe popullsi nga Kthella e Dheu i Rrazës. Eshtë fjala gjithnjë për shek. XIX e më parë.

Popullsi nga Mirdita janë shtrirë dhe në pjesët më veriore, në veri të Mirditës. Kështu Kryeziu i Pukës popullohet me familje të ardhura nga Oroshi i Mirditës, nga Spaçi, nga Gojani e nga Fandi. Në kohën kur Ami Bué eksploroi këtë vend: Kryeziun, në vitet ‘30 të shek. XIX, pjesa dërmuese e popullsisë së tij ishte mirditase dhe kjo bashkësi: Kryeziu, konsiderohej Mirditë, ashtu si njihet deri në ditët e sotme e për vetë prejardhjen e popullsisë (A. Boué, La Turquie d'Europe, Paris, 1840, V.II ).
Pas viteve '60 të shek. XX Kryeziu u nda administrativisht në dy fshatra: njëri me emrin Kryeziu e tjetri me emrin Orosh, emër që e mbanin ato anë, të banuara me njerëz me prejardhje nga Oroshi i Mirditës.

Eshtë për t'u shënuar se mirditasit, kudo që kanë shkuar me migrim, në jo pak raste, emrin e fshatit a të krahinës e kanë marrë me vete si mbiemër, ose dhe si emër fshati: Kështu kemi :Sanxhakun pranë Laçit, formuar me popullsi të ardhur nga fshati Sanxhak i Ulzës (Bushkash) kur fshati i vjetër u përmbyt nga Liqeni i H.C. të Ulzës mbi lumin Mat. Kur u përmbyt fshati Gomsiqe nga H.C. i Vaut të Dejës, popullsia shkoi në Velipojë e formoi fshatin Gomsiqja e Re.
 

Bashkëngjitje

  • foto-te-vjetra (1).jpg
    foto-te-vjetra (1).jpg
    6.3 KB · Shikime: 2
  • foto-te-vjetra (2).jpg
    foto-te-vjetra (2).jpg
    6 KB · Shikime: 2
  • foto-te-vjetra (3).jpg
    foto-te-vjetra (3).jpg
    6.3 KB · Shikime: 2
  • foto-te-vjetra (4).jpg
    foto-te-vjetra (4).jpg
    6.9 KB · Shikime: 2
Mirdita e moçme e migrime të popullsisë së saj

Mirdita e moçme e migrime të popullsisë së saj

Në Mirditë nuk ka vetëm migrime të popullsisë, si familje a grup familjesh nga një fshat në një tjetër ose nga një dhé (bajrak) në një tjetër, ose dhe në viset më skajore të krahinës, madje dhe duke i zgjeruar kufijt, po ka dhe popullsi të ardhur në Mirditë nga krahina të tjera, të afërta e të largëta. Kudo, ata kanë ardhë e janë përzier me popullsinë vendëse, duke ruajtur në disa raste pozicionin si njësi të veçanta, po më tepër duke u shkrirë me popullsinë vendëse, mandej duke marrë dhe mbiemra të vëllezërive vendëse të vjetra, duke u mbathur e shkrirë me farefise të caktuara; kanë marrë mbiemrin e njërit a të tjetrit farefis e janë bërë "vëllezër"me ta.

Nuk janë ardhjet vetëm nga Hasi i Gjakovës a nga Pushtriku -krahinë, po dhe nga vise të tjera jashtë Mirditës. Vetëdija e vetë disa grupeve e banorësh, për prejardhjen e tyre është një e dhënë me rëndësi, ashtu si dhe antroponime e toponime të lidhura me këto dukuri. Edhe banorët e tjerë fqinjë të të ardhurve, në një kohë sado të herëshme, e përforcojnë këtë mendim origjinash të disa grupeve të popullsisë së Mirditës.
Në lidhje me këto lëvizje migruese duhet sqaruar dhe mënyra e të menduarit të prejardhjes. Në disa raste përcaktohet si vend shpërngulje një krahinë më e njohur e diçka më e afërt. Ta ndriçojmë këtë me disa shembuj: Pjesa e Mirditës më afër Kukësit a më afër Kosovës është Fandi e si rrjedhojë mirditasit prej të përmendurve quhen fandas , edhe pse të shpërngulurit prej këtej e të vendosurit në Kosovë nuk janë nga Fandi, po nga pjesë të tjera të Mirditës. Kjo vinte edhe nga fakti se Fandi përgjithësisht është nyje lidhëse, rrugë ndërmjetëse e Mirditës me Kosovën.

Natyrisht, për legjendat e gojëdhanat e lëvizjeve migruese, duhet pasur dhe rezerva e verifikime me rrugë nga më të ndryshmet.
Nga gojëdhënat, antroponimet e toponimet mësojmë, ashtu si dhe nga dëshmi historike, se një grup popullsie është e ardhur nga viset e Hotit të Malësisë së Madhe e vendosur në Zajsë të Selitës e sot mbajnë mbiemrin Beci, një grup është vendosur në Baz ku ruhen shumë gojëdhëna, antroponime, toponime, ashtu si janë dhe Hotët në Lurë; të tërë këta Hotë i lidh bashkë lugina e Urakës. Hotët në Selitë (Zajsë) përmenden dhe në shek. XV. Eshtë e mundëshme që këto popullsi Hoti të kenë ardhë këtu në kohën e pushtimit osman, shek. XV ose dhe më parë, si rrjedhojë e trysnive sllave. Hotë ose dhe me emra të tjerë, gjejmë popullsi të ardhur nga Malësia e Madhe a nga veriperëndimi i trojeve shqiptare si Dibër, Martanesh dhe në krahina të tjera të Shqipërisë, më në kufi me bashkësi sllave. Farefisnia Bytyçi që gjendet në Kullaxhi, afër Blinishtit, doemos është e ardhur nga viset më veriore të trojeve shqiptare.

Me kufijt më veriorë e më veriperëndimore të trojeve shqiptare lidhet dhe ardhja e klanit Thaç, të shpërndarë në tërë Shqipërinë e Epërme, përfshirë dhe Kosovë e Maqedoni Perëndimore. Me shumicë Thaç ka në disa vise të Mirditës si në Domgjan, në Gojan, në Fushë -Arsë, në Gomsiqe, në Qafë të Malit. Me origjinën e përhapjen e këtij farefisi (tribuje) janë marrë shumë autorë për faktin se nga kjo rrjedhë e kanë zanafillën Bushatlijt e Shkodrës dhe familja e madhe Jakaj me 200 deri 300 anëtarë, pronat e trojet e së cilës shtriheshin në Gojan, në Gomsiqe, në Qafë të Malit e në disa vende të tjera. Janë dhënë shumë mendime e hamendje, mbështetur në gojëdhëna, toponime, antroponime e pak fakte historike.

Ajo më e besueshmja eshtë se Thaçët kanë ardhur nga Mali i Zi, në vise kufi me bashkësi sllave, ku kanë pësuar dhe disa ndikime të tyre. Dikush, autorë sllavë, janë munduar t'i nxjerrin me rrënjë sllave, gjë që shumë burime më të besueshme e hedhin poshtë katërcipërisht këtë hamendje, për Thaçët e për Bushatlijt. Vetë emri Thaç nuk lidhet fare me sllavishten; serbo -kroatishtja nuk e ka fare tingullin "th". Thaçët përmenden në Mesjetë në Tuz, në Anamal e në Muriqan të Malit të Zi. Prej andej vendosen në Bushat. Nga Bushati në Shllak të krahinës së Dukagjinit. Prej andej vendosen në Domgjon të Fandit e në Gojan, në Fushë -Arës e në disa vise të tjera. Vetë dinastia Bushatlijt mbahen të ardhur nga Gojani i Mirditës.

Kur Thaçët u vendosën në Gojan gjetën disa familje vendëse shumë të vjetra të ngulura aty, si ishin farefisi Cera e të tjerë. Me ta u bënë "vëllezër trojesh", pra në fshat nuk merrnin e nuk jepnin mes tyre vajza në martesë. Prej Gojani Thaçët, e ndër ta, shtëpia më e përmendur Jakaj, populluan Gomsiqen, Vaun e Dejës pjesërisht. Nga Gomsiqja popullsia e vjetër u largua pak e nga pak. Edhe kjo ardhje e re e grupit klanor në Mirditë është pak e shumë si ajo e ardhur nga Hoti, nga Kosova (Hasi i Gjakovës, natyrisht, për sa flasin dëshmitë, është dyndje nga trysnia sllave në fillim e nga ajo e pushtimit osman në shek. XV-XVI). M. Shufflai do të shprehet, në "Serbët e shqiptarët", f. 56: "Goditja e parë e qëlloi Shqipërinë e Veriut në mbarim të vitit 1387, atëherë kur turqit depërtuan deri te Gryka e Drinit... kjo në elementin shqiptar shkaktoi një përzierje të madhe ", pra një lëvizje migruese të brendëshme, duke përzier popullsinë me dyndje nga krahina të ndryshme.

Këtë mendim e përforcon dhe e sqaron më tej F. Nopça kur thotë: "Rreth vitit 1480, pastaj në vitin 1520 dhe midis 1550 e 1590 u shpërngul popullsi e veriut më me shumicë dhe e vazhdoi shpërnguljen diçka më me lehtësi gjer në vitin 1650. Nuk është e vështirë të kuptohet shkaku i shpërnguljes kur e dimë se më 1479 ra Shkodra në duar në Osmanëve dhe, po këta më 1590 pushtojnë Bosnjën. Pra mund të pranojmë se pushtimi i Shqipërisë dhe rritja e fuqisë turke kanë qenë shkaku i shpërnguljes së popullsisë” (F. Nopça, "Fiset e Malësisë...", f. 259). Kjo dyndje e brendëshme erdhi nga Veriu, nga Verilindja, po dhe nga anë të tjera, për t'i shpëtuar rrezikut të pushtimit osman e përdhunimeve prej tij.

Ka ngulje në fshatra të ndryshme të Mirditës të ardhur nga farefisi Berishë që, në rrënjët e tij më të herëshme, po dhe tani në përgjithësi, i ka trojet në disa fshatra në veriperëndim të Pukës e në pjesën jugore të Tropojës, në Mërtur që bie në të djathtë të lumit Curraj. Eshtë e vërtetë se Berisha, ashtu si disa farefise të tjera, është përhapur në shumë krahina të trojeve shqiptare si Kosovë, ndër krahina shqiptare të Malit të Zi e të Maqedonisë Perëndimore, në Shqipëri të Veriut e të Mesme. Mirdita është një vend ku Berishët janë ngulur që motit në fshatra dhe, doemos, para dy -tre shekujsh, ndoshta kjo përhapje i ka rrënjët që para pushtimit të Osmanëve. Kështu Berishë të ngulur ka në Rras të Butë (Gjinitë: Lukaj, Frangaj, Pepaj, Preçaj). Një degë Berishë e gjinisë Letaj është ngulur në Luginën e Fandit të Vogël, në Konaj me barqet: Gjonaj, Gjergjaj, Gjilekaj, Halilaj, Margjonaj, Kolpërgjonaj, Kolgjeçaj dhe Biblekaj. Një degë tjetër shtrihet në Rras të Egër me emrin Beqiraj. Një degë nga gjinia Merturi, pra Berishë, është e ngulur në fshatin Korthpulë (P. Gjika, "Gjurm. etn", f. 58). Elementë nga farefisi mesjetar Berisha ka diku-diku dhe në viset e tjera të Mirditës, veç atyre që u përmendën. Pra dhe kjo flet qartë për një farë shkrirjeje bashkë, edhe pse ruhet kujtimi i prejardhjes, një "vëllezërim trojesh", një përshtatje me vendin e banorët më të hehrshëm të fshatrave a dhenave të caktuar të Mirditës.
 
Mirdita e moçme e migrime të popullsisë së saj

Mirdita e moçme e migrime të popullsisë së saj

Në kthellë, Legisi, Shurbi e Doçi i Shebes, ashtu si dhe Shqalshi i Malajt, grupime farefisnore të gjëra, e kanë prejardhjen së herëshmi nga Hasi i Gjakovës, ashtu si ruhet në vetëdijen e vetë këtyre grupimeve, po dhe nga banorë mirditas në përgjithësi. Kjo do të jetë një dyndje e herëshme, nga shek. XV ose edhe më parë. Kështu mësojmë nga të dhëna të ndryshme se dhe fshati Reç i Rrëshenit të jetë i ardhur në një kohë të herëshme nga Reçi i Dibrës. Ardhjet e nipit nga bija, pra e nipit në trojet e dajës, i ndeshim në jo pak raste. Në Zajsë të Selitës është vendosur një familje e ardhur nga Luznia e Dibrës; ka ardhë bija me fëmijtë e saj në fshatin e prindërve të saj. Prej këtej është farefisi Arapaj me barqet përkatëse: Racaj, Veliaj, Xhucaj. Kjo ardhje do të jetë shumë e herëshme, para islamizimit të Luznisë.

Vllaznia Kuqi e Dibrrit e mban veten farefis me Krasniqet e Malësisë së Gjakovës dhe e shpjegojnë, sipas kujtimeve të traditës së tyre, se prejardhjen e kanë prej andej. Eshtë me interes për t'u shënuar se "të Kuqët" dhe "Krasniqët" kanë të njëjtin kuptim, veçse i pari është në shqip dhe i dyti në serbishten e vjetër. Banorët e farefisit "Kuqi" këtë përputhje kuptimore të të dy antroponimeve nuk e dinë, po kjo etimologji e përmendur nuk është pa interes, ndoshta është dyndje e një kohe të herëshme kur dhe Krasniqët e Malësisë së Gjakovës quheshin edhe "Kuqi", krahas emrit të sllavizuar përmes regjistrimeve të kishës serbe e të shtetit serb në një kohë të herëshme.
Vllaznia Muçaj me shtrirje vendbanimesh në fshatra të ndryshme të Dheut të Spaçit si në Kinez, Mesul, Kodër -Spaç, Dom, Tuç, Qafa e Malit, Lumbardhë, Lumi i Zi, Fushë -Arës, Kryezi, Mënelë e Vau i Dejës, e mbajnë veten të ardhur në një kohë të moçme nga fshati Ketë i Matit. Edhe Shtjefanakët e Ndërfushazit kanë në vetëdijen e tyre, në pleq të kësaj vllaznie, se janë të ardhur nga Shtjefni i Matit.

Në Mirditë, në fshatra a në dhëna të ndryshëm, ka dhe jo pak lëvizje të tjera migruese të moçme brenda përbrenda, po dhe nga krahina të tjera; ne këtu nuk po zgjatemi më tej, në lidhje me këto lëvizje e përzierje të herë-pas- herëshme. Eshtë me interes të sqarohet këtu se ka të dhëna për ardhje popullsie në Kthellë e në Dheun e Rrâzës nga Dibra e nga Ohri. Eshtë e besueshme që popullsi e kësaj natyre të ketë ardhë nga ato anë, me shkakun e trysnive sllave dhe të pushtimit turk, por si, kush e sa ka ardhë, është një problem i ngatërruar.

Për një kohë të gjatë tre dhenat (bajrakët) e Kthellës vareshin administrativisht nga Sanxhaku i Ohrit. Kështu Kthella me tri njësitë e saj: Kthellë, Selitë, Rrazë, janë quajtur "Bajrakët e Ohrit", e nga kjo janë krijuar dhe gojëdhënat e prejardhjes nga Ohri. Mendojmë se mendësi të tilla të prejardhjes duhen marrë me shumë rezervë; edhe thënie të këtij lloji, aq më tepër si ardhja në bashkësi të mëdha, është një gjë tepër e mjegulluar dhe si rrjedhojë, është gjë tepër e vështirë të mbështetet me dëshmi konkrete, duke përjashtuar rastet e ardhjeve si vllazëri të vogla, që doemos, si u përmend edhe më parë, kanë ardhur e janë përzier, janë mbathur, shkrirë me vendasit më të vjetër.
Edhe mirditasit kanë migruar në drejtim të krahinave të tjera të trojeve shqiptare, heret e vonë. Kjo është një gjë krejt e natyrëshme. Si krahinë, kjo nuk ka pasur ndonjë veçim të madh me krahinat e tjera fqinje a më të largëta.

Të thuash se në të nëntë malet e Dibrës, po dhe në fushë të saj, ka grupe popullsie, sado të pakët, me prejardhje nga Mirdita. Gjinia Fanda në Shumbat të Ujë e m' Ujës ka ardhur dikur nga Xhuxha e Fandit. Po kështu vllaznia Kaza e këtij fshati e ka prejardhjen nga Oroshi i Mirditës. Grupi me banim në Vleshë të Ujë e m' Ujës ka ardhur nga Selita e Mirditës, ndërsa Dypjaka e ka prejardhjen nga Shën Pali i së njëjtës krahinë. Po kështu Biba në Vleshë ka ardhur nga Selita e Mirditës, ndërsa Pali nga Shën Pali, si sipër. Shënojmë se farefiset a gjinitë me banim në Muhurr si: Çoku, Voci, Voka, Laci, Farruku, Kaleshi, Sina (Loci) janë me origjinë të herëshme nga Mirdita.

Dine Hoxha me Ballën, Preçin janë Markaj e të ardhur motit nga Mirdita.
Në Zallë-Dardhë farefisi Murati është gjak me Çokun në Orosh e pra të ardhur prej andej. Sala në Qidhnë është fis me Ndokun e Zajsit në Selitë (Mirditë). Në Grykë të Vogël: Leka, Lleshi, Markja janë me prejardhje nga Kurbneshi i Selitës. I jati i Markut ka qenë quajtur Zog, pra nga Zogajt e Kurbneshit. Prej tyre është formuar dhe fshati Zogjaj i Dibrës, me farefisin Lleshaj, që janë në zanafillë të njëjtët me Zogajt e së njëjtës rrënjë. Pra i kësaj rrënje është dhe farefisi i Haxhi Lleshit. Zogjajt e Dibrës, sipas traditës së herëshme, njihen si “katund i 12 shtëpive”, si më të parat, më të themelit. Më vonë janë shtuar shumë e përhapur në vise të ndryshme të Dibrës e më tej.

Në Qafë – Murrë ka disa farefise a gjini prej Mirdite a vise afër me këtë krahinë. Leka, Biba e Lleshi janë të ardhur nga Lura a viset afër saj e nuk bëjnë martesa mes tyre, duke e konsideruar njeri – tjetrin të afërt në “gjak e gjini”. Ndërsa Nikajt, Daçi, Mandreka, Toka, Prejsi janë të ardhur herët nga fshatra të Mirditës. Biba e Lleshi janë të ardhur nga malet në Mirditë e prej këtej në Qafë – Murrë ku banojnë dhe sot. Neka, Duka e Përhati e kanë zanafillën e tyre më të largët, sipas vetëdijes së vetë banorëve, nga Hasi i Gjakovës e prej andej janë ngulur në Mirditë; më vonë janë shpërngulur nga kjo krahinë e janë vendosur më Qafë – Murrë. Edhe Gjera e Turja e kanë prejardhjen nga Mirdita.

Në Katundin e Ri në Arape ka ardhur e është ngulur aty Nikolli prej Mirdite. Cani e Lleshi më parë kanë ardhur nga Mirdita në Bulaç, herët shumë, e më vonë nga Bulaçi kanë ardhë e ngulë në Katund të Ri ku jetojnë edhe sot. Edhe Nezha i Arapes është i ardhur nga Mirdita.
Një farefis i tërë në Pult, me emrin Suma, në të djathtë të lumit Kir e mbajnë veten të ardhur nga Mirdita si na e dëshmon E. Durham (Brenga e Ballk., f. 449).
Mirditas me shumicë kanë rënë gjatë shekujve në vendet kodrinore e fushore, në ultësirat perëndimore: në Zadrimë, sidoemos në Zadrimën e Epërme, në Kallmet, në Breg – Mate, në rrëzat mes maleve e fushës, si një shtrirje në ato anë.

Pikënisjet kanë qenë, që herët, dimërimi i bagëtive, po mandej janë ngulë aty me shtëpia të përherëshme. Edhe sot gjen në rrethin e Lezhës një nënshtresë mirditase, ose shënja të dukëshme të banimit të mirditasve në ato anë. Të thuash se i tërë Kallmeti është i banuar nga popullsi të ardhur dy a tre shekuj më parë nga Mirdita. Në tërë Zadrimën vëren shumë mbiemra, po dhe gojëdhëna të ardhjes së popullsisë nga Mirdita. Vetëm në Dajç (Zadrimë ) kemi vërejtur më 1985 mbi 50 familje me mbiemrin Gazulli, çka tregon prejardhjen e atyre banorëve. Janë edhe sot muret rrenojë të shtëpive të mirditasve të dikurshëm të ngulur në Mal të Shëngjinit e në Mal të Rrensit dhe këta jo më vonë se fundi i shek. XVIII e fillimi i shek. XIX. Aty pas mesit të shek. XIX në këto vende vërshuan malsorët nga Malësia e Madhe, duke rënë në konflikt me të parët. Thuhet se nga këto konflikte mirditasit u tërhoqën nga ato vende.

Mirditasit, në rrjedhojë të lëvizjeve migruese, i ndesh të ngulur kahmos në vise të ndryshme shqiptare. Dodbibajt e Elbasanit, derë e mirënjohur për njerëz të shquar, e kanë prejardhjen nga Mirdita, larguar prej andej diçka para mesit të shek. XIX. Profesori i nderuar, Lirak Dodbiba, disa herë më ka thënë se “jemi nga Bibajt e Mirditës”, po as unë e as ai nuk e përcaktonim dot se nga cilët Bibaj. Në Mirditë Bibaj mund të gjesh në shumë vise, po më shumë mundësi ka që këta të jenë nga Bibajt e Spaçit. Nëna e Prof. Aleks Budës është bijë Dodbibajsh. Si rrjedhim, Prof A. Buda, në të vërtetë nuk është mirditas, po një damar Mirdite e ka nga e ëma, nip Mirdite, mençuri Mirdite në trurin e tij të çmuar. Edhe në fshatra të Tiranës e të Fushë – Krujës ka grupe të herëshme me prejardhje nga Mirdita . Kështu, në Pezë të Tiranës ka gjini me prejardhje nga andej, e i kësaj rrënje ka qenë dhe vetë Myslim Peza.

Në afërsi të Gostivarit, në Maqedoni, ka një fshat me emrin Merdita, me 50 shtëpi, që e mbajnë veten të ardhur nga Mirdita, tani të tërë myslymanë. Duhet shënuar se në Mirditë ka disa farefise që e mbajnë veten të ardhur nga Maqedonia Perëndimore, ndër vise shqiptare. Në Lug të Drinit të Bardhë, në Rrafshin e Dukagjinit (Kosovë) ka të ngulur rreth 10.000 banorë me prejardhje nga Mirdita, në fshatra të ndryshëm, “Fandë”, të ardhur aty nga shek.XIX dhe fillimi i shek. XX. Në disa fshatra të Hasit si Bishtazhin etj., ka mbi 3000 banorë me origjinë nga Mirdita.

Mirditas me shumicë kanë populluar fushat bregdetare të Shqipërisë Veriore, po dhe vendet kodrinore të këtyre ultësirave. Ata ruajnë shumë mirë në kujtesë prejardhjen e tyre, ruajnë mbiemrat e prejardhjes e shumë kujtime të stërgjyshërve të tyre mirditas. E quajnë për nder e kreni se kanë vendin e të parëve të tyre në Mirditë. Mirditasit i gjenë të ngulur me banim edhe në Korçë, Gjirokastër e Sarandë, po dhe në vise të botës së jashtëme. Ata më së shumti kanë populluar Shkodrën, Lezhën, Kurbinin fushor, Krujë e deri në Durrës. Edhe në Babrru të Tiranës ka një grup banorësh me prejardhje nga andej, ku ruajnë dhe mbiemrat prej nga kanë ardhur si Suli, Prenga e me radhë. Edhe në Bizë pranë Manzës në bregdet ka një grup banorësh me origjinë nga Mirdita.
Mirdita përbëhet nga shtresime të ndryshme popullsie: shumë të vjetër në ato troje, mesjetare midise e të vonë, po dhe të kohës së re. Cilësi e veçantë e kësaj krahine është se popullsia, dhe pse me prejardhje të ndryshme, është e njëjtësuar, e shkrirë në një të tërë e të pandashme. Kemi Dedaj të mirëfilltë të Oroshit, si më krye vendi, kemi dhe Dedaj të mbështetur. Po kështu mund të thuhej për Çokajt, për Markolajt e kështu me radhë. Shtresimet e ndryshme kurrë nuk e kanë dëmtuar unitetin krahinor, shoqëror e të bashkëjetesës. Kushtet sociale e dokesore bashkë me rregulla të forta të kanunit, kanë qenë faktorë integrues, njejtësues e ekuilibrues të kësaj krahine.

Në kohë të re e të sotme ka mjaft lëvizje migruese të natyrës ekonomike e sociale e këtu nuk ka asgjë për t'u çuditur. Largohen për një jetë më të mirë, për mirëqenie ekonomike. Po mirditasit kudo që janë, ruajnë kujtimin e krahinës së tyre e me ndërgjegje e paraqesin veten: “jam mirditas!”, “jam i ardhur nga Mirdita!”. Ruajnë kujtimin e trojeve e të varreve të të parëve të tyre, po kështu vendet e pronat ku dikur paraardhësit e tyre kanë jetuar, ruajnë mbiemrat që të kujtojnë krahinën e vjetër prej nga kanë ardhë shumë kohë më parë. Emri i kësaj krahine është i lidhur ngushtë me jetën e psikën e tyre. Kjo shpreh forcë, gjallëri, energji.

I përshkruam lëvizjet migruese të popullsisë për sa kanë të bëjnë me Mirditën, me synim që përmes tyre të ndriçojmë më bindshëm disa veçori të kompaktësisë e të zhvillimit të kësaj krahine. Mendojmë se për këto gjëra të traditës e të jetës sociale në përgjithësi lëvizjet migruese të natyrave të ndryshme na flasin shumë qartë e në vështrime të ndryshme. Nga këto migrime, brenda krahinës, nga jashtë – brenda dhe nga brenda - jashtë, për në krahina të tjera, është një dukuri e vazhdueshme, nga shekujt e mesjetës e deri në ditët e sotme, po natyrisht kushtet kanë qenë krejt të ndryshme nga koha në kohë. Kjo flet për përzierje të vazhdueshme të popullsisë, nga vendi në vend, në përkim me kushte të caktuara sociale dhe historike.

Është bërë fjalë shumë për “fisin”e ashtuquajtur të Mirditës, për “konfederatë fisesh”, për “tre Dhenat e Fisit”, për 12 fiset e Oroshit e kështu me rradhë. Mbështetur në të vërtetën dëshmuese historike, këto hamendësime bien poshtë. Në Mirditë kemi një përzierje të atillë popullsie me prejardhje të ndryshme sa shumë gjëra sqarohen mirë e shumë mendime të thëna dikur nuk kanë më asnjë mbështetje. Krahina e Mirditës si tërësi, ose pjesë të saj të marra veç e veç, s'janë tjetër veçse bashkësi fshatare me një organizim krejt të veçantë. Kemi këtu një strukturë sociale që lëviz e ndryshon nga koha në kohë. Nuk është aspak një organizim krahinor statik, i pandryshueshëm, fosil, që nuk ka lëvizur e nuk ka ndryshuar në kohë. Natyrisht, ndryshimi ka qenë i ngadalshëm për vetë kushtet historike të mbylljes ndër male, për arsye konfliktesh sociale e të pushtimeve të huaja, nga varfëria, burime ekonomike të pakta e të pasigurta.

Lëvizjet migruese janë, në thelb, përpjekje për të zgjidhur probleme të jetës familjare a të një grupi familjesh. Janë synime për të dalë nga gjendje të rënduara e nga fatkeqësi të jetës, të jetesës. Në një vështrim tjetër, ato janë përvojë, janë komunikim mes grupesh të ndryshme sociale, janë mësim për jetën e i hapin rrugë zhvillimit, është shkëmbim i dijeve praktike në mes grupesh të ndryshme njerëzore.
Jo shumë lirshëm është pranuar i huaji për t'u ngulur me banim në fshat, në dhé, në krahinë. Pronën, secili për vete, po dhe mbarë bashkësia fshatare e ka ruajtur, të përbashkët – kullosë ose vetjake. Por në kohë lufte, në konflikte sociale, për të shpëtuar njerëzit nga varfëria e tejskajshme a nga vdekja, kanë pranuar familje të huaja të banojnë diku në pronë të ndonjërit apo të bashkësisë. Një bije të njerit, të martuar larg, i ka vdekur burri, është në kulmin e varfërisë e pa përkrahje. Prindërit e të afërmit e saj, doemos me miratim dhe të fshatit, e marrin dhe e vendosin diku në pronat e tyre që ta ndihmojnë. Kështu, kjo familje e pasardhësit e saj bëhen banorë të përhershëm të bashkësisë. Përfitojnë të drejtat në pyll, në ujë, në kullota, në tokë buke, po kanë dhe detyra ndaj bashkësisë si gjithë të tjerët. Në kahëra luftrash e konfliktesh sociale kanë ndodhur që një fshat të strehojë e të mbajë familje të tëra. Mandej disa prej tyre, në kushte të veçanta, janë bërë dhe banorë të përhershëm, janë bërë “vëllezëri trojesh” me fqinjët, me fshatin. Duhet menduar mirë koha kur kanë ndodhur dukuri të kësaj natyre. Në bashkësitë malësore ndjenja e dashamirësisë për të ndihmuar fatkeqët, të pambrojturit, ka qenë shumë e fuqishme, e zbatuar në praktikë thuajse kudo në malësina.

A ruhen institute të vjetra, si mbijetoja në këto bashkësi malësore të Mirditës? Doemos që po, por në kushte të një organizimi të veçantë e dinamik. Është ruajtur deri në këto kohë të vona dukuria e ekzogamisë, institut i lashtë dokesor. Kemi të bëjmë këtu me bashkësi të lira patriarkore, me struktura përshtatur jetës ndër male. Në këto vende asnjëherë sistemi feudal nuk është bërë mbizotërues, sadoqë elementë të veçantë të tij kanë hyrë në jetën e bashkësive, më së shumti nga sundimet e huaja. Vëllezërimi, afrimi, kanë shërbyer për ta përforcuar e fuqizuar bashkësinë, për t'u mbrojtur. Është përdorur gjithnjë shprehja “jemi gjak e gjne”, pra do të thotë se janë të një gjaku nga ana atërore po dhe të një gjinie nga ana e grave përmes martesave. Në kuptim figurativ kjo shprehje dhe psikologjia përkatëse e lidhur me të flet për lidhje afrie të gjithanshme, të përjetëshme, në mbijetesë ekonomike e për mbrojtje.

Edhe martesat jashtë dheut përkatës kanë luajtur rol të rëndësishëm në përforcimin e njëjtësimit krahinor. Të bërët të një fisi pa qenë në të vërtetë të tillë ka pasur në vetvete funksione të përforcimit të bashkësisë sipas normave të caktuara, të detyrueshme, që kishin natyrë juridike e ndërkohë morale e të mbinatyrëshme, në kuptimin e një kulti të fuqishëm hyjnor me rrënjë pagane. Me funksione të këtij lloji ishte dhe kumbaria e flokëve, e pagëzimit, e krezmimit, e martesës, po kështu dhe vllaznimi me anë të pirjes së gjakut, ndërsjelltas. Të tëra këto lidhje rituale e bënin grupin më të pathyeshëm, më veprues e më ekuilibrues në çeshtje të mëdha. Me anë të këtyre lidhjeve rituale e të “gjakut e gjinisë” bëheshin vëllezër e motra dhe ndalohej martesa e marëdhëniet e veçanta “intime”. Këto lidhje ishin hyjnore e shkelja e tyre ishte mëkat i rëndë e dënohej me marrje jete.

Fqinjët, dhe pa qenë fare me lidhje gjaku, i sajonin lidhje të tilla për të ndaluar çdo lloj eksesi që mund të ndodhte në atë mjedis. Psikologjia e çdo antari të bashkësisë ushqehej me ide e realitete të tilla të lidhjeve me natyrë kulti. Si fqinjë, si bashkëfshatarë, do të hynin e do të dilnin te njeri – tjetri për punë të ndryshme. Pra për të mbajtur ekuilibër duheshin dhe mjete të forta psikologjike e ligjore, morale e të besimit. Kështu është krijuar dhe instituti i fuqishëm e tepër veprues “vëllezër trojesh”, ku ka shumë ndalime e shumë norma vepruese, që nuk mund të shkeleshin kurrësesi. Të tëra këto ishin mjete force, mjete mbijetese për shoqëritë e lira patriarkore ndër male, natyrisht në kushte mesjetare.

Më së shumti, për migrime të ndryshme, dëgjohet shprehja: ka ikur për arsye hasmërie , veçanërisht kur bëhet fjalë për persona a familje të veçanta. E vërtetë është se konfliktet që çonin në gjakmarrje i kanë shtyrë njerëzit në migrim, në largim nga vendi, në jo pak raste. Por duhet ditur se shkaqet e përshkuljeve të popullsisë kanë qenë nga më të ndryshmet: shtesë popullsie: vendi nuk mban me jetesë shumë njerëz, nga kjo gjë lindin dhe konflikte, po është e pranishme dhe një varfëri e madhe. Kjo bën që disa familje të lënë atë vend e të gjejnë diku gjetiu një vendbanim më të lirë, më pa njerëz, ku të shkojnë dhe të jetojnë. Migrimi është rrugë për të gjetur një zgjidhje kur një shtëpie a një grupi social i ndodhin shumë fatkeqësi, të lodhur e të mërzitur prej tyre, një a e tërë familja, ose një lagje e tërë, largohet prej andej, për të krijuar një gjendje të re e një ekuilibër të ri. Shumë mirë këtë e ka vënë re në fund të shek. XIX dhe e ka sqaruar F. Barkata në veprën e tij “Lule“: një djalë i mbetur rrugëve ikën shegert në Lezhë e pastaj dhe shumë më larg.

Marku nga fatkeqësitë që i ndodhën në shtëpi ikën me gruan në fushë, në Breg të Matës. Shpesh – herë gojëdhënat, po dhe fakte historike tregojnë që në një vend a në një tjetër, popullsia ka ikur në masë prej aty, e lodhur dhe e dërmuar, nga “tre dimna të fortë”, “nga tri vera me të korra tepër të dobta”. Disa herë vetë fshati a krahina, për shkelje të rënda të normave kanurore të bashkëjetesës, i dëbon një a disa njerëz, a familje për tre vjet, për pesë ose përgjithmonë nga vendi. Ky është një migrim i detyruar dhe ka ngjarë në jo pak raste në Mirditë. Mirditasit kanë qenë të lidhur në anën ekonomike me fushat bregdetare, me qytetin, sidomos për blerje e shitje. Blenin shumë drithë në Kosovë dhe në Dibër ashtu si edhe gjëra të tjera të tregtisë. Kjo njohje e interesa ekonomike, po ndoshta dhe nga trysnia e dizekuilibrit social, janë larguar nga trojet e tyre e janë vendosur në ato vende të njohura më parë.

Kur të ardhurit nga krahinat e tjera, ose nga një dhé në një tjetër në Mirditë, të vendosur në një fshat, u janë nënshtruar rregullave, normave, dokeve e traditave të atij fshati, në vështrim: ekonomik, në doke e tradita, në veshje, në festa e kremtime të ndryshmë, në martesa e në kërkesa të tjera të bashkësisë, baras me tërë banorët e tjerë të atyshëm. Kështu janë integruar e shkrirë me vendasit tërë ata të ardhur nga vise të tjera. Në këto kushte, të ardhurit rishtas nuk e kanë cënuar aspak strukturën e bashkësisë, në të kundërtën: atë e kanë dëbuar menjëherë. I ardhuri ka qenë më nevojtar e më i prirur për t'u shkrirë me mjedisin, pra në këto kushte u është nënshtruar tërë rregullave e detyrimeve, si çdo antar tjetër i bashkësisë. Në këto kushte është bërë në përgjithësi më mirditas se mirditasit. Ka pasur raste, si në Dibërr etj, që familje myslymane, duke u vendosur në një mjedis të krishter, edhe është krishterizuar. Këtë ja donte nevoja e integrimit të plotë, martesat, fqinjësia e kumbaria e një radhë dukurish që kishin të bënin me ekzistencën në bashkësi të tilla fshatare mes malesh.

Edhe mirditasit kur kanë migruar në krahina të tjera, janë përshtatur me doke e tradita të vendit, me veshje, po dhe janë islamizuar kur mjedisi i ri ka qenë i tëri me njerëz të besimit islam. Në fshatin Krushë, në mes Prizrenit e Prishtinës, mësojmë për toponimin Mali i Fandës (Fandë, nënkupto mirditas – M.T.). Një mirditas, i larguar për çeshtje hasmërie, ishte ngulë me banim në Rrethkabash (pra në Krushë). Aty në fillim kishte jetuar duke punuar si shërbëtor; më vonë vendasit i kishin dhënë tokë e i kishin ndihmuar të ndërtonte shtëpi, në shek. XIX.

Në mesin e shek. XX brezi më i vjetër, pleq, mbante emra të krishterë, ndërsa në paraqitje ishin disi të islamizuar, kurse brezi më i ri ishte plotësisht i integruar në islamizëm dhe mbante emra si Ismail, Fazile e me rradhë. Në Kërçisht të Maqellarës (Dibër) familjet Gëziqi, myslymanë, e kishin prejardhjen nga Gëziqi i Mirditës; në mjedisin e ri social ata ishin islamizuar. Mirditasit, përgjithësisht, aq sa janë të aftë të asimilojnë të ardhurit në krahinën, në fshatrat e tyre, janë po aq të aftë të përshtaten në mjediset e banimit në krahinat e tjera ku vendosen me banim të përhershëm.

Gjithësesi, organizimi, struktura e brendëshme sociale nuk ka pësuar të çara. Ligjet e kanunit më mirë se kudo kanë luajtur rol të rëndësishëm ashtu si dhe krenët e kryeparët, krenët e vogla, pleqtë e strapleqtë, kanunarët e dhënies së drejtësisë. Mirdita ka pasë një organizim të brendshëm, përshtatur me kushte të veçanta të jetës patriarkale, po në liri të plotë, pa paguar kurrë asnjë lloj takse në shtet. Ata u bindeshin vetëm ligjeve të kanunit, si mjet ekuilibrues në mjedisin social. Edhe të ardhurit me migrim përshtateshin lehtë me këto institucione të një bashkësie të lirë krahinore, po tepër kompakte.

Duhet vënë në dukje se migrimet e ndërsjellta në mes krahinash të ndryshme, përfshirë këtu dhe Mirditën, kanë ndikuar në zbutjen e ndryshimeve të dokeve nga krahina në krahinë, kanë ndikuar në një komunikim më të hapur e më të fuqishëm kulturor të ndërsjelltë mes krahinash, në njejtësimin e gjuhës, në njejtësimin e praktikave të jetës e të prodhimit shoqëror, si një rrugë progresi në mardhëniet krahinore, ndërkrahinore e mbarë etnike. Kështu, ndjeshmëria kombëtare është bërë më e fortë, më vepruese.
 
Anton,
t'gjitha kto që i ke publikue këtu unë i kam lexue shumë vite ma parë, sidomos tek Mirdita Net e T'madhit Tonin Ndoja, por mirë ke ba që i ke ripublikue. Unë me thanë të drejtën gjithmonë kam pyet vehtën: si asht e mundun me qenë mirditor me fis thaq. M'beso se nuk mujsha me e marrë me mendë. Nuk mujsha mej dhanë spjegim ksaj pune, por edhe nëpër oda t'burrave në Kosovë nuk munde kush me m'dhanë përgjigje dhe për herë t'parë përgjigjen e pata gjetë tek profesor dr. MARK TIRTJA të cilit i jam shumë mirnjohës.
 
Duke u bazuar në pikën 14 të rregullores në paragrafët 4,5,6,7 dhe 8 kam vendosur që të gjej në arkivat e internetit materiale që nuk janë më të disponueshëm për lexim. Për fat të keq edhe faqja mirdita.net nuk është më aktive, po ashtu edhe materiali i çmueshëm në formën e shkrimeve që përmbante. Tani ndihem i detyruar që shkrime të tilla të mos kalojnë në harresë por ti ofrohen publikut, duke shikuar rëndësinë që kanë. Shpresoj të arrij e të sjell edha ca shkrime të tjera me mjaft rëndësi të marrura në arkivin e internetit.
 
Kthehuni
Sipër