Themelohet Federata e Lundrimit

G

gezimi

Vizitor
Themelohet Federata e Lundrimit

Sportit të Kosovës i është shtuar edhe një federatë. Federata e Lundrimit të Kosovës (FLK) është themeluar të shtunën në kuvendin e mbajtur në Prishtinë. Sipas një njoftimi të FLK-së, në kuvendin e parë të kësaj federate morën pjesë përfaqësues të shtatë klubeve. Sipas njoftimit, klubet “5 Star”, Formula, PRN Golf, Sailing Prishtina e Marco Polo janë nga Prishtina, ndërsa Iliria e Orllani nga fshati Orllan. Në kuvend është miratuar statuti i Federatës së Lundrimit, ndërsa kryetar është zgjedhur Rilind Reka. Mandati i tij zgjat katër vjet.
Në të vërtetë iniciativën për themelimin e Federatës së Lundrimit të Kosovës e ka marrë muaj më parë kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani. Sipas Hasanit, në Kosovë ka kushte ideale për zhvillimin e sportit të lundrimit.
Në vitet e fundit në Kosovë janë themeluar disa federata të sporteve që nuk janë të zhvilluara në vend. Disa prej tyre si kjo e lundrimit e më herët ato të softbollit e peshëngritjes janë themeluar në mënyrë që të plotësohet kushti teknik për aplikim për pranim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kusht teknik për aplikim është që pesë federata të sporteve olimpike të jenë të pranuara me të drejta të plota në federatat ndërkombëtare. Pranimi në disa federata ndërkombëtare si ajo e shigjetarisë, peshëngritjes e lundrimit vlerësohet të jetë më i lehtë se pranimi në federatat kryesore si ajo e futbollit e basketbollit.
Aktualisht Kosova ka të pranuara me të drejta të plota tri federata sportive, atë të pingpongut, peshëngritjes e shigjetarisë. Me të drejta të kufizuara janë të pranuara Federata e Xhudos, e Mundjes e Hendbollit. Federata e Lundrimit shumë shpejt pritet të aplikojë për pranim ndërkombëtar.
 
Kthehuni
Sipër